Shqipëria përgatit zgjerimin e 5G dhe rrjeteve me kapacitet të lartë, projekti pilot, hapet tenderi
Qeveria shqiptare po përgatit zgjerimin e rrjeteve 5G dhe infrastrukturës me kapacitet shumë të lartë përmes një studimi teknik, i cili do të shoqërohet edhe me projektimin dhe zbatimin e një projekti pilot.
Procedura parashikon një kontratë me vlerë rreth 1.4 milionë euro dhe është pjesë e programit IPA III “EU for Digital Economy and Society 2024–2027”.
Ministria e Financave ka hapur garën për përzgjedhjen e një konsulenti që do të analizojë mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës digjitale në vend. Një nga komponentët kryesorë është hartimi i një studimi mbi përdorimin e teknologjisë 5G në “smart communities”, duke u mbështetur në praktikat e Bashkimit Europian. Krahas studimit, kontraktori do të duhet të projektojë dhe zbatojë një projekt pilot për testimin e përdorimeve konkrete të teknologjisë 5G.
Tirana si skenar për projektin “5G Smart City”
Dokumentet e programit të Bashkimit Europian parashikojnë si një nga skenarët e mundshëm një zgjidhje “5G Smart City” për Tiranën. Teknologjia mund të përdoret për ndriçimin dhe parkimin inteligjent, monitorimin e trafikut dhe cilësisë së ajrit, transportin publik, arsimin, shëndetësinë dhe shërbime të tjera publike.
Procedura synon gjithashtu të krijojë një panoramë të kapaciteteve aktuale të rrjeteve broadband në Shqipëri. Konsulenti do të përgatisë metodologjinë për hartëzimin gjeografik të rrjeteve me kapacitet shumë të lartë, VHCN, përfshirë fibrën optike dhe 5G, si dhe do të evidentojë kufizimet që pengojnë zgjerimin e mëtejshëm të tyre.
Përshtatje me kërkesat e BE-së për infrastrukturën gigabit
Një tjetër komponent i projektit është përshtatja e kuadrit teknik dhe rregullator shqiptar me kërkesat e Bashkimit Europian për infrastrukturën gigabit dhe rrjetet e komunikimeve elektronike.
Në praktikë, studimi pritet të përcaktojë kapacitetet aktuale broadband në Shqipëri, kërkesat teknike dhe rregullatore për zgjerimin e fibrës optike dhe rrjeteve 5G, si dhe mënyrën se si përdorimet konkrete të teknologjisë mund të testohen përmes projektit pilot.
Programi më i gjerë “EU for Digital Economy and Society 2024–2027”, pjesë e të cilit është edhe kjo procedurë, ka një vlerë të parashikuar prej 44 milionë eurosh. Nga kjo shumë, 30 milionë euro financohen nga Bashkimi Europian.